Ballina KULTURË Korça, destinacion për turistët nga e gjithë bota

Korça, destinacion për turistët nga e gjithë bota

Qyteti i Korçës është një qytet që lindi nga ëndrra, nga qytetaria korçare për të punuar fort për zhvillimin ekonomik dhe shndërrimin në një destinacion turistik shqiptar, por mbi të gjitha botëror.

Kështu u shpreh deputeti i Partisë Socialiste, ish-kryetari i bashkisë Niko Peleshi , gjatë një takimi të zhvilluar me qytetarët, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Rama, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, deputetja Elisa Spiropali si dhe kryetari aktual i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo.

“Nuk është rastësi që po fillojmë një seri takimesh që janë kuvendime. Po fillojmë me Korçën, sepse Korça është një histori suksesi. Janë mrekulli ato që kanë ndodhur përmes një pune të madhe ndër vite. Korça lindi nga një ëndërr e bukur dhe u punua fort për realizimin e kësaj ëndrre. Sot Korça është një qytet me infrastrukturë të zhvilluar. Sot jemi në një një moment të rëndësishëm. Ky mandat është një kapërcim në një fazë tjetër, në fazën e zhvillimit ekonomik. Do të nisë një fazë e re që do të nisë nga ëndrra për zhvillimin ekonomik,” – tha deputeti.

Katërfishimi i numrit të hoteleve si dhe bujtinave, sipas Peleshit do të ndikojë edhe në rritjen e mëtejshëm të numrit të turistëve, jo vetëm shqiptarë, por edhe të huaj.
“Kemi 4-fishuar numrin e hoteleve dhe kemi ndërtuar dhe rindërtuar shumë bujtina për turistët. Duhet ta shohim qytetin tonë, si një qytet që bëhet destinacion jo vetëm i shqiptarëve, por edhe për të huajt. Kështu do të mund të bëjmë realitet edhe projekte madhore si aeroporti i Korçës,” – tha Peleshi.

Peleshi tha se Korça po hyn në një fazë të zhvillimit ekonomik, të një qyteti që di t’i hapë dyert edhe për botën.