Ballina Aktualitet Kuvend, konstituohet komisioni hetimor parlamentar për shkarkimin e presidentit Meta

Kuvend, konstituohet komisioni hetimor parlamentar për shkarkimin e presidentit Meta

Eshtë konstituuar sot komisioni hetimor parlamentar për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Komisioni do të drejtohet nga deputeti socialist Ulsi Manja, ndërkohë që zëvendëskryetar do të jetë deputeti tjetër Alban Zeneli. Anëtarë të këtij komisionit janë deputetët Vasilika Hysi, Klotilda Bushka, Bashkim Fino, Alket Hyseni, Adriartik Alimadhi, Halit Valteri dhe Krenar Ruçi.

Sipas deputetit Manja, komisioni hetimor parlamentar “ka për qëllim të hetojë njohjen dhe verifikimin e mënyrës së ushtrimit të kompetencave nga Presidenti lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve vendore në përputhje me parimet kushtetuese.”

“Komisioni ka për objekt dhe detyrë të verifikojë procedurat e ndjekura nga Presidenti gjatë ushtrimit të kompetencave lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019, të verifikojë hartimin e akteve dhe efektet e tyre juridike në raport me kompetencat e Presidentit të përcaktuara në Kushtetutë,” – ka thënë më tej deputeti socialist.

Me votë unanime, u vendos që deputetët Halit Valteri dhe Alket Hyseni të jenë bashkërelatorët, që do të duhet të përgatisin rregulloren e punës dhe planin paraprak të hetimit.

Një grup deputetësh socialistë kanë kërkuar shkarkimin e presidentit Ilir Meta me argumentin se ka shkelur rëndë Kushtetutën me dekretin për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.