Ballina BOTA Komunikimet e BE, në shënjestrën e hakerave

Komunikimet e BE, në shënjestrën e hakerave

Disa hakerë kanë shënjestruar me sukses komunikimet diplomatike të Bashkimit Evropian disa vjet me radhë, ka raportuar The New York Times.

Në mijëra mesazhe të prekura janë përmendur një varg çështjesh e personash, duke përfshirë edhe presidentin amerikan, Donald Trump. Ky rast është raportuar të jetë zbuluar nga kompania për siguri kibernetike Area 1.

Megjithatë zyrtarët evropianë kanë thënë se informacioni i klasifikuar si konfidencial nuk është prekur nga hakimi trevjeçar.

Një ekspert i ka thënë New York Times se metodat e përdorura nga hakerët kanë qenë të njëjta me ato që janë përdorur më parë nga ushtria kineze.

“Pas gati një dekade eksperiencë në luftimin e operacioneve kibernetike kineze, nuk ka asnjë dyshim se fushata është e lidhur me qeverinë kineze,” – ka thënë ai.

Sipas raporteve, pjesë e hakimit kanë qenë edhe disa institucione tjera, duke përfshirë Kombet e Bashkuara.