Ballina LAJME Komisioni i Venecias, deputeti Bylykbashi: Lajm i keq për politikanët mafiozë

Komisioni i Venecias, deputeti Bylykbashi: Lajm i keq për politikanët mafiozë

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykabashi, iu është bashkuar reagimeve pak pasi Komisioni i Venecias miratoi opinionin përfundimtar për pastrimin e politikës nga lidhjet me krimin. Përmes një postimi në Facebook, deputeti Bylykbashi e cilësoi këtë fakt një lajm të mirë për shqiptarët dhe të keq për politikanët e korruptuar.

Sipas deputetit demokrat, Komisioni i Venecias konfirmoi sot kauzën e drejtë dhe legjitime të Partisë Demokratike dhe opozitës. “Nga Venecia vjen lajm i mirë për shqiptarët dhe i keq për politikanët mafiozë, – shkruan deputeti Bylykbashi në Facebook. – Komisioni i Venecias konfirmoi sot kauzën e drejtë dhe legjitime të Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare për vetingun politikanëve të lidhur me krimin e organizuar. Opinioni i miratuar sot nga Komisioni i Venecias përcaktoi guidën e detajuar për miratimin përfundimtar nga Parlamenti të amendamenteve kushtetuese dhe ligjin e detajuar që, ashtu si dekriminalizimi, do të duhet të largojë politikanët e lidhur me mafian. Komisioni i Venecias i bën thirrje mazhorancës të ulet në dialog konstruktiv me opozitën për miratimin e amendamenteve kushtetuese dhe ligjit sipas udhëzimeve të Komisionit dhe shprehu gatishmërinë për të asistuar më tej në përfundimin e këtij procesi.”