Kokainë në lokal, arrestohet pronari. E pësojnë keq edhe 3 klientë që u kapën me lëndë narkotike

31

Pronari i një lokali në Gramsh është arrestuar për përshtatje të lokalit për përdorim droge. Së bashku me të janë arrestuar edhe 2 të tjerë, të cilët u kapën me lëndë narkotike gjatë kontrollit fizik nga policia.

Ata janë identifikuar me inicialet: P. F., 51 vjeç, Xh. S., 30 vjeç dhe E. H., 54 vjeç (pronari i lokalit).

Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetasit P. F., në ambientet e lokalit, Policia i gjeti një sasi lënde narkotike kokainë, ndërsa nga kontrolli në banesë iu gjetën një sasi farash kanabisi dhe një sasi lënde narkotike kanabis e ndarë në doza. Shtetasit Xh. S., gjatë kontrollit fizik, iu gjet një sasi e vogël lënde narkotike kanabis e ndarë në doza.

Kontrolli ka vijuar edhe në një lokal tjetër, ku gjatë kontrollit fizik ndaj klientëve të lokalit, Policia arrestoi në flagrancë shtetasin F. Z., 19 vjeç, pasi iu gjet një sasi lënde narkotike e ndarë në doza.

Sekuestrohen doza me lëndë narkotike kanabis dhe kokainë, si dhe fara kanabisi.

Gjithashtu u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit: K. D., për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi gjatë kontrollit i është gjetur një sasi e vogël lënde narkotike, si dhe shtetasit R. B., M. B. dhe D. K, banues në Gramsh, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Përshtatja e lokaleve për përdorim droge” dhe “Moskallëzimi i krimit”.