Kokainë në çantën e dorës dhe municion luftarak, arrestohet në Fier i riu vlonjat

119

Një 27-vjeçar i identifikuar si Asllan Lazemetaj është arrestuar nga Policia e Fieri, pasi akuzohet për shpërndarje të drogave të forta në doza të vogla. Ai është kapur në lagjen “Sheq i Madh” Fier, dhe gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij, në çantën e krahut, i është gjetur një sasi kokaine e ndarë në doza.

Njoftimi i policisë:

Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla.

Vihet në prangat e Policisë, 27-vjeçari që posedonte dhe shpërndante lëndë narkotike kokainë.

Sekuestrohet lëndë narkotike kokainë e ndarë në doza gati për shitje dhe municion luftarak.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në vijim të goditjeve kundër aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasin: A. L., 27 vjeç, banues në Dukat, Vlorë.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, në lagjen “Sheq i Madh” Fier, gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij, në çantën e krahut, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi me lëndë narkotike të dyshuar kokainë e ndarë në doza gati për shitje dhe municion luftarak.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.