KLSH nxjerr në pah të metat e IGJEUM:”Nuk arriti të regjistronte të plotë tërmetin e 26 nëntorit dhe…”

52

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se IGJEUM (Instituti i Gjeoshkencave) nuk mund të monitorojë tërmetet në Shqipëri.

Me anë të auditit të kryer nga 21 janari deri në fund të muajit mars, KLSH konstaton se IGJEUM regjistroi vetëm 15 sekonda të tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Kjo pasi më tej ka patur një ndërprerje të energjisë elektrike që ka ndërprerë regjistrimin.

“Ky stacion ka regjistruar vetëm 15 sekondat e para të tërmetit, si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike. Nisur nga fakti që gjatë një tërmeti të fortë, ekziston një probabilitet i lartë për ndërprerjen e energjisë elektrike, është e domosdoshme pajisja e stacioneve sizmologjike me bateri (UPS) të cilat mundësojnë matjen e lëkundjeve edhe nëse ndërpritet energjia elektrike”, thuhet në raport.

Më tej auditimi nxorri në pah se IGJEUM punon me 67.6% të stafit të miratuar.

Ligji parashikon që të punojnë 71 punonjës, por në IGJEUM punojnë vetëm 48.

“Mungesat e burimeve njerëzore rrit riskun e cenimit të monitorimit të plotë të aktivitetit sizmik, meteorologjik dhe hidrologjik në Institutin e Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, pasi ky monitorim kryhet 24 orë pa ndërprerje. Cënimi i monitorimit të aktivitetit sizmik, mund të sjellë pasoja në jetë njerëzish dhe dëme materiale më të larta nga vlera e investimit për mirëmbajtjen e tyre”,thuhet ne raport

Po ashtu është vënë re se ky institucion nuk ka në përbërje strukturë të teknologjisë si dhe asnjë pozicion specialisti IT.