Këshilli Kombëtar i Punës miraton rritjen e pagës minimale në 30 mijë lekë

40

Këshilli Kombëtar i Punës zhvilloi mbledhjen e tij të radhës, nën drejtimin e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, ku u miratua rritja e pagës minimale  në 30 mijë lekë.

Ministrja Denaj gjatë fjalës së saj në KKP vlerësoi, se Qeveria ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të zhvilluar dhe promovuar më tej kulturën e dialogut social.

“Përfshirja e Qeverisë në Këshillin Kombëtar të Punës me 7 Ministri është një shëmbull i mirë i bashkëpunimit ndërinstitucional, sipas edhe rekomandimeve të Organizatës Botërore të Punës, shenjë e angazhimit në kuadër të përgjegjësisë sociale, u shpreh Ministrja, duke thesuar, se legjislacioni i punës përcakton kornizat ligjore dhe institucionale për dialogun social trepalesh, bisedimet kolektive dhe zgjidhjen miqësore të mosmarrëveshjeve të punës”.

Rritja e pagës minimale ka qënë gjithmonë iniciativë e Qeverisë, në kuadrin e “Pagës së Denjë” për “Punë të Denjë”, duke patur në vëmendje edhe kërkesat e sindikatave, ndërkohë që “përgjegjësia sociale” e biznesit për punën e denjë, është e matshme, përmes sigurisë së shëndetit në punë dhe veçanërisht me pagën reale dhe sigurimet reale shoqërore.

“Paga bazë minimale në shkallë vendi, e detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo person juridik a fizik, vendas ose i huaj, propozohet të jetë 30.000 lekë në muaj nga 26.000 lekë në muaj që është caktuar me VKM nr.809 date 26.12.2018, duke u rritur  me  15.4 %, tha Ministrja, duke shtuar, se me këtë synojmë ruajtjen e nivelit të jetesës për të punësuarit si në sektorin privat dhe atë buxhetor”.

Diskutimet më pas u përqendruan në informimin  nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë mbi masat e marra nga Qeveria për mbështetje financiare për punëdhënësit dhe punëmarrësit gjatë periudhës së shkaktuar nga pandemia Covid – 19, informimin nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale mbi masat e marra për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe informim nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për masat e marra për të siguruar distancimin fizik mes nxënësve për vitin e ri shkollor.

Ministrja Denaj  gjatë kësaj mbledhjeje i kushtoi vëmendje  zbatimit të legjislacionit  të punës, veçanërisht për kohën e punës dhe pushimit. Lidhur më këtë një prezantim të detajuar për anëtarët e KKP-së, dha Drejtori i Inspektoriatit Shtetëror të Punës.monitor