Kërkohej për vrasje, arrestohet egjiptiani në Rinas

105

Kapet në hyrje në Rinas, një shtetas egjiptian i dyshuar për vrasje me dashje, tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje.

Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, falë edhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, për mundësinë e hyrjes në Shqipëri të një shtetasi egjiptian me rrezikshmëri të lartë shoqërore për krime ndaj personit, kanë ndaluar në hyrje një person të dyshuar.

Si rezultat i bashkëpunimit të ZQK Interpol Tirana me zyrat homologe, pas një intervistimi të detajuar nga Policia Kufitare e Rinasit u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi provizor me qëllim ekstradimi i shtetasit egjiptian M. R., 50 vjeç.

Ky shtetas konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore nga autoritetet egjiptiane dhe është shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje me dashje, tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje.

Më 6 nëntor 2019, në Giza / Egjipt, ky shtetas ka vrarë me armë zjarri shtetasin egjitpian M. A., më pas ka marrë automjetin e viktimës dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

ZQK INTERPOL Tirana, në bashkëpunim me INTERPOL Kajron do të vijojë procedurat për ekstradimin e tij drejt Egjiptit, bazuar në marrëveshjen e ekstradimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Arabe të Egjiptit, ratifikuar në vitin 2004.