Ballina BOTA Kërcënimi nga Rusia, NATO dërgon anijet në Detin e Zi

Kërcënimi nga Rusia, NATO dërgon anijet në Detin e Zi

Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, ka deklaruar se anijet e NATO-s në mënyrë rutinore po patrullojnë në Detin e Zi dhe se Aleanca do të vazhdojë të vlerësojë praninë e saj në rajon, dhe se NATO ka rritur ndjeshëm praninë e saj në Detin e Zi, që nga aneksimi i paligjshëm i Krimesë në vitin 2014.

“Sot, anijet e NATO-s në mënyrë rutinore patrullojnë dhe ushtrojnë në Detin e Zi. Tashmë në Detin e Zi ka shumë prani të NATO-s dhe ne do të vazhdojmë të çmojmë praninë tonë në rajon,”- u shpreh ajo.

Komentet e saj vijnë pasi presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, u bëri thirrje vendeve anëtare të NATO-s, përfshirë Gjermaninë, që t’i dërgojnë anijet e tyre në Detin Azov për të mbështetur vendin e tij.

Të dielën e kaluar, jashtë Krimesë Rusia pushtoi dy anije të marinës ukrainase dhe një rimorkio detare, së bashku me 23 anëtarë të ekuipazhit, duke akuzuar Kievin për hyrje në ujërat e saj dhe për provokim të një konflikti.