Ballina Aktualitet Kazakistan, ministri Bushati: Diaspora, urë lidhëse mes dy vendeve

Kazakistan, ministri Bushati: Diaspora, urë lidhëse mes dy vendeve

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ndodhet për një vizitë zyrtare në Astana të Kazakistanit dhe gjatë kësaj vizite u takua me ministrin e Jashtëm të Republikës së Kazakistanit Kairat Abdrakhmanov, duke u ndalur tek diaspora shqiptare e pranishme në kryeqytetin kazak Astana, për të cilët u shpreh se janë urë lidhëse dhe faktor për zhvillimin e biznesit dhe marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve.

Në takimin me homologun kazak, Bushati e vuri theksin në rëndësinë e intensifikimit të marrëdhënieve ekonomiko-tregtare, përmes konkretizimit të lidhjeve në sektorë të ndryshëm të biznesit, në fushat me interes të përbashkët mes dy vendeve.

Ai e quajti premtues bashkëpunimin dypalësh për realizimin e projekteve në fushën e naftës dhe të gazit, infrastrukturës, turizmit, agro-bujqësisë dhe nënvizoi gjithashtu nevojën e nxitjes së kontakteve mes komuniteteve të biznesit të të dy vendeve, në mënyrë që të përfitohet sa më shumë nga të gjitha hapësirat e mundshme të bashkëpunimit.