Ballina Aktualitet Kavajë, zjarrfikësit shuajnë zjarrin në pyllin e Bedenit

Kavajë, zjarrfikësit shuajnë zjarrin në pyllin e Bedenit

Sot, në orët e para të mëngjesit, pas një përpjekje që ka zgjatur nga dita e djeshme dhe gjatë gjithë natës, zjarrfikësit e Kavajës dhe të Rrogozhinës kanë mundur të vënë nën kontroll dhe të shuajnë flakët në pyllin e Bedenit.

Masivi pyjor i Bedenit gjendet pikërisht pikërisht në kufirin mes bashkive të Kavajës dhe Rrogozhinës. Flakët u pikasën që dje dhe menjëherë repartet e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në Kavajë dhe Rrogozhinë morën masa për të ndërhyrë për shuarjen e tij.

Në operacion u përfshinë tre automjete zjarrfikëse dhe 12 efektiva të reparteve të PMNZSH të Kavajës dhe Rrogozhinës, ndërkohë që në ndihmë të tyre ishin edhe punonjësit e njësive administrative të mbrojtjes së pyjeve.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, flakët u vunë nën kontroll dhe u arrit shuarja e zjarrit. Sipas të dhënave të para, zjarri ka dëmtuar një sipërfaqe prej 3 hektarë me shkurre dhe pisha. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e rënies së zjarrit.