Ballina Aktualitet Kavajë, zbatohet projekti për ndërtimin e parkut në qendër të Synejit (VIDEO)

Kavajë, zbatohet projekti për ndërtimin e parkut në qendër të Synejit (VIDEO)

Investimet publike, të parashikuara në buxhetin e këtij viti të Bashkisë së Kavajës, janë shtrirë edhe në zonat rurale. Në fakt, ndryshe nga e kaluara, shpërndarja e fondeve publike në mënyrë të drejtë në gjithë territorin e bashkisë është një prej tipareve kryesore të kësaj administrate.

Në këtë mënyrë, një nga projektet e nisura që vitin e kaluar dhe që tani është drejt fundit është edhe rivitalizimi i qendrës së Synejit dhe ndërtimi i parkut rekreativ. Pjesë e këtij projekti ka qenë edhe rehabilitimi i disa rrugëve rurale, për të cilat ishte vënë në dispozicion fondi i përgjithshëm prej rreth 22 milionë lekësh.

Bashkia e Kavajës ka pesë njësi administrative, ku Syneji me fshatrat e tjerë rreth tij përbën njërën prej tyre. Tani, qendra e kësaj njësie administrative ka një pamje krejt tjetër, e cila ka rritur ndjeshëm cilësinë e jetës së banorëve.

Ashtu si në Synej, Bashkia e Kavajës ka ndërhyrë me projekte të ndryshme për përmirësimin e infrastrukturës urbane edhe në njësinë administrative të Luzit të Vogël, në Golem, Helmas etj. Në këto zona, investimet janë përqëndruar kryesisht në rehabiltimin e rrugëve, si edhe në rindërtimin e shkollave dhe çerdheve apo edhe kopshteve.