Ballina Aktualitet Kavajë, urimet e Vitit të Ri, nga letrat dhe kartolinat tek mesazhet...

Kavajë, urimet e Vitit të Ri, nga letrat dhe kartolinat tek mesazhet telefonike (VIDEO)

Mesazhi dhe mjeti që transmeton mesazhin janë dy gjëra të ndryshme, por, sot më shumë se kurrë, mjeti kushtëzon ndjeshëm edhe formën dhe përmbajtjen e mesazhit.

Viti i Ri është pikërisht koha kur ky evolucion i komunikimit njerëzor bëhet edhe më i dukshëm. Dikur, urimet shkëmbeheshin me letra e kartolina, të cilat përmbanin mesazhe të gjata e të larmishme, ndërsa sot urimet kanë marrë formë tjetër. Ato sot janë shndërruar në mesazhe elektronike, shpesh edhe të kodifikuara në formë shkronjash dhe shenjash.

Një evolucion i tillë kuptohet lehtë, teksa pyesim qytetarët kavajas nëse kartolina vazhdon të jetë ose jo forma nëpërmjet së cilës ata përcjellin urimet tek të afërmit e tyre.

Në raste festash, njerëzit gjithnjë shkëmbejnë urime, por forma dhe mënyra e transmetimit të tyre ka ndryshuar shumë. Kartolinat janë tani si një lloj specie në rrezik zhdukje dhe, gjithnjë e më tepër, vendin e tyre e kanë zënë telefonat dhe rrjetet sociale, ku komunikimi është më i shkurtër, por i menjëhershëm.