Ballina Aktualitet Kavajë, të gjithë bashkë për një shoqëri pa dhunë

Kavajë, të gjithë bashkë për një shoqëri pa dhunë

Në kuadër të Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, Bashkia e Kavajës ka organizuar sot në Pallatin e Kulturës “Kavaljon” një aktivitet sensibilizues nën moton “Së bashku për një shoqëri pa dhunë”, ku e pranishme ishte edhe deputetja Orjola Pampuri. Me këtë rast, ajo u ka kërkuar të gjithë aktorëve të shoqërisë që të rrisin përpjekjet e tyre për eliminin e dhunës ndaj grave. Në aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues të Bashkisë së Kavajës, duke përfshirë nënkryetarin Dorian Gjuzi dhe drejtorin e kulturës dhe sportit Genci Gjylsheni.

Dhuna ndaj grave dhe vajzave, dhe veçanërisht dhuna brenda familjes, ishte diçka që mbahej brenda mureve të shtëpisë dhe përbënte një çështje private. Por, me zhvillimin e shoqërisë, kjo çështje ka marrë tani dimensione të tjera, duke krijuar si mjedisin ligjor, ashtu edhe mekanizmat për të garantuar mbrojtjen e viktimave të dhunës.

Prej disa vitesh tashmë, Bashkia e Kavajës ka ngritur edhe një strukturë të veçantë veprimi kundër dhunës me bazë gjinore, ndërkohë që aktivitete të tilla, si ai që u organizua sot, kanë për qëllim ndërgjegjësimin sa i takon çështjeve të dhunës në familje me objektivin për të njohur mjetet ligjore për mbrojtjen nga ky fenomen dhe shërbimet e tjera në dispozicion.

Në aktivitetin e zhvilluar në Kavajë, deputetja demokrate Orjola Pampuri, teksa theksoi rëndësinë dhe nevojën e një shoqërie pa dhunë, tha se për këtë qëllim “duhet të punojmë të gjithë së bashku.”