Ballina Aktualitet Kavajë, shkollë e re në Qerret, Bashkia dhe FZHR nisin procedurat e...

Kavajë, shkollë e re në Qerret, Bashkia dhe FZHR nisin procedurat e ndërtimit (VIDEO)

Bashkia e Kavajës ka nisur procedurat për ndërtimin e shkollës së re 9-vjeçare në fshatin Qerret. Në bazë të projektit të hartuar, shkolla do të ndërtohet pikërisht në territorin ku gjendet shkolla aktuale, e cila, për shkak edhe të viteve, është tejet e amortizuar.

Shkolla e re do të jetë sipas standardeve më bashkëkohore, duke përfshirë edhe sistemin e centralizuar të ngrohjes, terrenet sportive, si edhe kopshtin për fëmijët e arsimit parashkollor.

Projekti i hartuar u përzgjodh nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve për t’u realizuar, si pjesë e investimeve në shkolla me fondin e përgjithshëm prej afro 413 milionë lekë, që buxheti i shtetit ka akorduar për përmirësimin e infrastrukturës arsimore.

Kushti kryesor për përfitimin e financimeve nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve mbetet pjesëmarrja deri në masën 30 përqind të investimit edhe nga njësitë e qeverisjes vendore. Për këtë qëllim, në fondin prej rreth 75 milionë lekë që është caktuar për ndërtimin e shkollës 9-vjeçare të Qerretit, Bashkia e Kavajës ka kontribuar me rreth 27 milionë lekë.

Punimet priten të nisin së shpejti dhe afati i përfundimit të tyre do të jetë gjashtë muaj. Në këtë mënyrë, vitin e ardhshëm shkollor, fëmijët e Qerretit dhe të gjithë zonës përreth do ta nisin në kushte shumë më të mira.