Ballina LAJME Kavajë, rriten ndjeshëm çmimet në prag të festave të fundvitit (VIDEO)

Kavajë, rriten ndjeshëm çmimet në prag të festave të fundvitit (VIDEO)

Festat e fundvitit, si gjithmonë, sjellin rritjen e çmimeve të artikujve të ndryshëm ushqimorë, veçanërisht të frutave dhe perimeve, si edhe të gjelit të detit, një gatim tradicional ky i darkës së vitit të ri.

Në tregun e qytetit të Kavajës konstatohet se, ditët e fundit, ka pasur një rritje të ndjeshme të çmimeve. Ky trend, nisur edhe nga eksperienca e viteve të kaluara, pritet të vijojë edhe më tej. Qytetarët ankohen se e kanë të pamundur të përballojnë çmimet e rritura, ndërkohë, tregtarët theksojnë se rritja e çmimeve është një dukuri e zakonshme dhe se nuk ka prekur shpenzimet e qytetarëve apo edhe shitjet e tyre.

Gjeli i detit, i cili është edhe ushqimi tradicional i darkës së ndërrimit të viteve, ka dalë tashmë në shitje dhe çmimi i tij vazhdon të jetë i njëjtë si vitin që kaloi, ndërkohë që tregtarët shprehen se ende nuk ka filluar shitja e tyre dhe askush nuk drejtohet as për të pyetur për çmimin e jo më për të blerë.

Rritja e çmimeve gjatë festave është shqetësim i përvitshëm për blerësit, të cilët detyrohen të blejnë më pak, edhe pse në natën e ndërrimit të viteve tavolina e tyre duhet të jetë e mbushur me ushiqimet tradicionale.