Ballina Aktualitet Kavajë, qyteti përkujton 106-vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar (video)

Kavajë, qyteti përkujton 106-vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar (video)

Bashkia e Kavajës ka organizuar sot ceremoninë në përkujtim të 106-vjetorit të ngritjes së flamurit kombëtar më 27 nëntor të vitit 1912. Aktiviteti u drejtua nga kryebashkiaku kavajas Isa Sakja, ndërkohë që të pranishëm ishin edhe deputetë, përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor dhe familjarë të atdhetarëve të kohës kur lindi Shqipëria. Gjithashtu, pjesë e ceremonisë ishin edhe personalitete të komuniteteve fetare dhe qytetare të Kavajës.

Pas tingujve të himnit kombëtar që u këndua nga të gjithë të pranishmit në këtë ceremoni, kryebashkiaku Sakja ngriti flamurin.

Më pas, ai mbajti fjalimin e rastit, ku solli në vëmendje pak nga historia e kësaj ngjarje të madhe të kombit shqiptar.

Më 27 nëntor të vitit 1912, flamuri kuqezi në Kavajë u ngrit nga Must Cara dhe patriotë të tjerë të zonës.

Në përfundim të ceremonisë, e cila u mbajt pikërisht në vendin ku dhe u ngrit flamuri 106 vjet më parë, drejtori i Qendrës Kulturore të Kavajës, Genc Gjysheni, i ftoi të gjithë të pranishmit të drejtoheshin për tek mjediset ku ishte hapur ekspozita e piktorit të mirënjohur shqiptar Ibrahim Kodra.