Ballina Aktualitet Kavajë, Qatar Charity dhe Bashkia, pajisje elektroshtëpiake për familjet në nevojë

Kavajë, Qatar Charity dhe Bashkia, pajisje elektroshtëpiake për familjet në nevojë

Më shumë se 35 familje në nevojë të Kavajës kanë marrë sot ndihma të ndryshme materiale, përfshirë këtu edhe pajisje elektroshtëpiake. Ndihmat u mundësuan nga Fondacioni Qatar Charity, në bashkëpunim me Bashkinë e Kavajës. Dorian Gjuzi, nënkryetari i Bashkisë së Kavajës, me këtë rast tha se “falë bashkëpunimit të suksesshëm dhe partneritetit që Bashkia e Kavajës ka me Fondacionin Qatar Charity, ky i fundit ka vijuar të asistojë qytetin tonë me projekte sociale të përkthyera në ndihma për familjet në nevojë, pensione mujore për fëmijët jetimë, ndihma në ushqime, veshmbathje, elektroshtëpiake etj.”

Familjet e përfshira tek përfituesit e ndihmave materiale sot ishin përgjithësisht familjet e varfëra, të cilat për arsye nga më të ndryshmet janë përjashtuar nga skema e ndihmës ekonomike të Shërbimit Social Shtetëror. Në fakt, sipas nënkryetarit të Bashkisë së Kavajës, Fondacioni Qatar Charity do të bashkëpunojë edhe për realizimin e një projekti të kryebashkiakut Isa Sakja, që do të mundësojë akordimin e ndihmave për më shumë se 100 familje të tjera, që janë përjashtuar nga skema e ndihmës ekonomike.

Njëkohësisht, Bashkia e Kavajës dhe Fondacioni Qatar Charity do të implementojnë edhe një projekt tjetër me karakter social dhe edukativ me institucionet e arsimit parashkollor, që konsiston në pajisjen e tyre me soba për ngrohje.