Ballina Aktualitet Kavajë, protesta para KZAZ, qytetarët kërkojnë lirimin e mjediseve nga materialet zgjedhore...

Kavajë, protesta para KZAZ, qytetarët kërkojnë lirimin e mjediseve nga materialet zgjedhore (VIDEO)

Një grup qytetarësh të Kavajës, të mbështetur edhe nga forcat politike të opozitës, janë mbledhur sot në mëngjes para Shkollës 9-Vjeçare “3 Dëshmorët”, ku kanë kërkuar largimin e materialeve dhe të administratës së Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve në Bashkinë e Kavajës.

Pas dekretit të Presidentit të Republikës për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve, opozita ka bërë të ditur se zhvillimi i tyre është tërësisht i kundraligjshëm, ndërkohë që ka deklaruar edhe qëndrimin e vet se do të ndërmarrë të gjitha hapat e mundshëm për të penguar shkeljen e ligjeve dhe të Kushtetutës.

Protestuesit janë përballur me punonjësit e Policisë së Shtetit, që ishin vendosur në ruajtje të Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve. Konfrontime nuk ka pasur, por qytetarët janë larguar me premtimin se do të kthehen përsëri, derisa sa administrata dhe materialet zgjedhore të largohen nga Kavaja.