Ballina Aktualitet Kavajë, protesta para KZAZ, dhunë mbi qytetarët që kërkojnë respektimin e shtetit...

Kavajë, protesta para KZAZ, dhunë mbi qytetarët që kërkojnë respektimin e shtetit demokratik (VIDEO)

Mbrëmja e djeshme në Kavajë ka shënuar përplasjen e radhës mes qytetarëve, që kërkojnë respektimin e parimeve të demokracisë dhe të ligjeve të vendit për shtyrjen e zgjedhjeve vendore, dhe Policisë së Shtetit, që vijon të mbrojë me kokëfortësi shpërndarjen e materialeve zgjedhore, dhe Policia e Shtetit në këtë rast nuk mbron thjesht një grumbull letrash, pasi letra ka sa të duash, por mbron strukturën e një shteti, që, fatkeqësisht, është mbyllur në kullën e vet të fildishtë dhe gjithnjë e më tepër është duke iu larguar popullit të tij.

Në orën 20:00, qindra qytetarë janë mbledhur në sheshin qëndror të Kavajës, për t’u drejtuar më pas kah Shkolla 9-Vjeçare “3 Dëshmorët”, ku janë vendosur materialet dhe administrata e Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve.

Atje, ata janë përballur me gazin lotsjellës dhe dhunën e ushtruar nga Policia e Shtetit, duke e shndërruar rrugën pranë Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve në një shesh të vërtetë lufte. Për një moment, dukej sikur këto pamje nuk ishin nga Kavaja, por diku nga Rripi i Gazës apo Venezuela.

Por, fatkeqësisht, pamjet janë tamam nga Kavaja dhe janë pamje të një shteti që lufton kundër popullit të vet, të një shteti që e konsideron veten demokratik dhe ku vullneti i popullit duhet të jetë mbi gjithçka.

Jo më kot, Britania e Madhe, demokracia më e vjetër e botës, praktikisht nuk ka as kushtetutë, sepse është demokraci dhe vullneti i popullit është sovran.

Por, në këtë vend ku ne jetojmë sot, qeveria dhe shteti, teksa kapen pas një ligji, dhe me atë ligj mohojnë një ligj tjetër, përziejnë një çorbë që as në vitin 1997 nuk është parë, dhe qytetarët vuajnë në kurriz shkopinjtë e gomës dhe gazin lotsjellës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të mos respektojë dekretin e Presidentit të Republikës për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve vendore, duke vijuar kështu punën për organizimin e tyre.

Megjithatë, zgjedhjet mbahen për qytetarët, dhe qytetarët, në këto kushte, zor se i duan zgjedhjet. Qytetarët janë duke e treguar vullnetin e tyre, duke nxjerrë zbuluar edhe faktin se tani “ligji” dhe “Maliqi” nuk janë më e njëjta gjë, siç edhe duhet të jenë në demokraci.

Kavaja, e cila 30 vjet më parë luftoi për demokraci, kthehet sot përsëri tek ajo luftë, tek lufta për të rivendosur në piedestal shenjtërinë e vullnetit të vet sovran.

Por, cili do të jetë çmimi kësaj radhe?