Ballina Aktualitet Kavajë, peticion kundër shkrirjes së gjykatës së shkallës së parë (VIDEO)

Kavajë, peticion kundër shkrirjes së gjykatës së shkallës së parë (VIDEO)

Qytetarët në Kavajë kanë nisur firmosjen e një peticioni, duke kërkuar që gjykata e shkallës së parë në qytetin e tyre të mos shkrihet. Sipas tyre, mungesa e këtij institucioni në Kavajë do t’u krijonte shumë vështirësi në marrjen e shërbimeve.

Reformimi i institucioneve të drejtësisë ka sjellë edhe riorganizimin e ndarjes së kompetencave territoriale të gjykatave të shkallës së parë. Në këtë mënyrë, gjykata e shkallës së parë në Kavajë do të shkrihet dhe kompetencat e saj do t’i përthithë gjykata e shkallës së parë në Durrës.

Ndërkohë, peticioni që qytetarët e Kavajës kanë nisur të firmosin kundërshton pikërisht këtë ndarje të re kompetencash. Tani, për çdo shërbim, që qytetarët e marrin në Kavajë, do të detyrohen të shkojnë në Durrës.

Nënshkrimi i peticionit erdhi edhe pas thirrjes publike nga kryetari i Bashkisë së Kavajës, Isa Sakja, për t’i thënë jo mbylljes së gjykatës së shkallës së parë.

Bashkia e Kavajës dhe zonat përreth kanë një popullsi prej më shumë se 100 mijë banorësh, ndërkohë që këtu është zhvilluar edhe një komunitet jo i vogël juristësh, avokatësh dhe noterësh. Shkrirja e gjykatës pritet të sjellë vështirësi si për banorët për marrjen e shërbimeve, ashtu edhe për komunitetin e juristëve, të do ta kenë thuajse të pamundur të vazhdojnë ushtrimin e aktivitetit të tyre.