Ballina Aktualitet Kavajë, përmirësimi i infrastrukturës rrugore në ndihmë të zhvillimit të zonës (VIDEO)

Kavajë, përmirësimi i infrastrukturës rrugore në ndihmë të zhvillimit të zonës (VIDEO)

Potenciali për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e prosperitetit të banorëve të zonës së Kavajës është i madh, dhe pushteti vendor ka përqëndruar një pjesë të mirë të investimeve kah përmirësimi i infrastrukturës rrugore pikërisht për të ndihmuar shfrytëzimin e një potenciali të tillë.

Që nga bregdeti, i cili prioritet ka turizmin, e deri tek zonat rurale, të cilat dallohen për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë, Kavaja ofron mundësi të shumta, por mungesa e rrugëve gjithnjë ka qenë pengesë. Kjo ka bërë që, në programin e shpërndarjes së investimeve, Bashkia e Kavajës t’i japë përparësi edhe rrugëve rurale.

Rehabilitimi i rrugës Synej-Bago, e cila lidh fshatrat Peqinaj, Bardhor, Karpen dhe shkon deri në Plazhin e Gjeneralit, ishte një ndërhyrje e rëndësishme. Me të njëjtin qëllim janë ndërmarrë edhe rehabilitimi i rrugës së fshatit Vorrozen, i unazës së Luzit të Vogël, apo edhe projekti i pritshëm i rrugës në fshatin Qerret.

Sa i përket qytetit të Kavajës, vijon puna për rikonstruksionin e Shëtitores Nr. 2 dhe të parkut rekreativ.

Bashkia e Kavajës ka një shtrirje të gjerë gjeografike, ku përfshihen pesë njësi administrative, të formuara nga qyteti i Kavajës dhe 32 fshatra. Për këtë arsye, nevojat për investime në infrastrukturën rrugore janë ende të dukshme.