Ballina Aktualitet Kavajë, parku rekreativ i qytetit drejt përfundimit (VIDEO)

Kavajë, parku rekreativ i qytetit drejt përfundimit (VIDEO)

Punimet për ndërtimin e parkut të qytetit të Kavajës janë tashmë në fazën përfundimtare. Bashkia e Kavajës ka akorduar një fond prej më shumë se 57 milionë lekë për ndërtimin e parkut, dhe zbatimi i projektit u nda në dy faza.

Deri tani, Kavajës i mungonte një hapësirë e tillë e gjelbër, ku qytetarët të mund të kalonin kohën e lirë.

Vitin e kaluar, Bashkia e Kavajës hartoi projektin, duke parashikuar ndërtimin e një parku të gjelbër, në një sipërfaqe prej afro 85 mijë metra katrorë. Krahas hapësirave të gjelbëra, projekti parashikon edhe ndërtimin e këndeve të lojrave për fëmijë dhe të rinj, si edhe të këndeve të ndryshme sportive.

Punimet për zbatimin e projektit kanë disa muaj që kanë nisur dhe tani parku rekreativ ka marrë formë. Ndërtimi i tij është drejt fundit dhe, sipas të gjitha parashikimeve, stina e verës së këtij viti do t’i ofrojë banorëve të qytetit dhe vizitorëve të shumë një mundësi argëtimi më tepër.