Ballina Aktualitet Kavajë, organizohet edicioni i katërt i Konkursit të Kërcimit Modern

Kavajë, organizohet edicioni i katërt i Konkursit të Kërcimit Modern

Qendra Kulturore e Fëmijëve e Bashkisë së Kavajës, në bashkëpunim me të gjitha shkollat e rajonit, ka organizuar edicionin e katërt të Konkursit të Kërcimit Modern, ku fitues i vendit të parë është shpallur ekipi i Shkollës 9-Vjeçare “Rilindja”.

Ky aktivitet, i cili zhvillohet me ndihmën e mësuesve të edukimit fizik në shkolla, organizohet çdo vit me bashkëpunimin e ngushtë të koreografëve të ndryshëm të atashuar pranë Qendrës Kulturore të Fëmijëve dhe me asistencën e Bashkisë së Kavajës.

Skena e Pallatit të Kulturës “Kavaljon” u gjallërua nga fëmijët, të cilët prezantuan pjesët e tyre koreografike nën tingujt e muzikës ritmike, duke marrë edhe duartrokitjet e zjarrta të spektatorëve të shumtë në sallë.

Në fund, juria e konkursit, nën drejtimin e koreografes Rovena Dhima vendosi që çmimi i parë t’i akordohej ekipit të Shkollës 9-Vjeçare “Rilindja”. Shkolla 9-Vjeçare “Fiqiri Kurti” mori çmimin e dytë, ndërsa në vend të tretë u radhit Shkolla 9-Vjeçare “Mehmet Babamusta”.