Ballina Aktualitet Kavajë, qytetarët bllokojnë rrugën, protestojnë kundër çmimit të lartë të karburanteve

Kavajë, qytetarët bllokojnë rrugën, protestojnë kundër çmimit të lartë të karburanteve

Qindra qytetarë të Kavajës kanë dalë sot në rrugë për të protestuar kundër çmimit të lartë të karburanteve dhe gjendjes së vështirë ekonomike. Njerëzit fillimisht u mblodhën në qendër të qytetit dhe më pas, me pankarta në duar, madje mjaft prej tyre të veshur edhe me jelekë të verdhë e portakolli si protestuesit në Francë, iu drejtuan rrugës kombëtare Kavajë-Rrogozhinë.

Në shenjë proteste për hallet dhe problemet që kishin, protestuesit bllokuan përkohësisht qarkullimin në këtë aks rrugor, duke hedhur edhe parrulla kundër politikave ekonomike varfëruese të qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Me këtë protestë, banorët e Kavajës iu bashkuan iniciativave të ngjashme qytetare edhe në Shkodër dhe Lezhë, ku njerëzit ngritën zërin për mungesën e shpresës dhe gjendjen e vështirë ekonomike. Njëkohësisht, protestuesit në Kavajë kanë shprehur edhe mbështetjen e tyre për studentët, të cilët prej afro një jave vijojnë protestën e tyre.