Ballina Aktualitet Kavajë, ndihma nga Grieskirchen dhe Shoqata Austri-Shqipëri për shërbimin zjarrfikës (VIDEO)

Kavajë, ndihma nga Grieskirchen dhe Shoqata Austri-Shqipëri për shërbimin zjarrfikës (VIDEO)

Shoqata Austri-Shqipëri, e cila drejtohet nga Wolfgang Grossruck, një nga miqtë më të mirënjohur të popullit shqiptar, vijon programet e veta në ndihmë të Bashkisë së Kavajës me qëllim përmirësimin e shërbimeve publike.

Sot paradite, një delegacion i kësaj shoqate ka qenë në Kavajë, ku është pritur nga kryebashkiaku Isa Sakja, një vizitë kjo e cila kishte për qëllim vijimin e punës në ndihmë të përmirësimit të infrastrukturës së Emergjencave Civile. Pjesë e grupit vizitor nga Austria ishte edhe kryetarja e Bashkisë së Grieskirchen, Maria Pachner, pasi ka qenë pikërisht qyteti i Grieskirchen, i cili mundësoi ndihmat për strukturat e pushtetit vendor në Kavajë.

Pas ceremonisë së rastit, kryebashkiaku Sakja i njohu miqtë nga Austria me zhvillimet më të fundit dhe projektet e ndryshme në shërbim të komunitetit. Përmirësimi i vazhdueshëm i kapaciteteve të Emergjencave Civile ishte në qendër të bisedës, por nuk mbetën pa u prekur edhe tema të tjera në funksion të shkëmbimit të eksperiencave sa më të mira.

Krahas ndihmës në mjete dhe pajisje për shërbimin zjarrfikës, Shoqata Austri-Shqipëri dhe qyteti i Grieskirchen kanë mundësuar edhe trajnimin e personelit.

Pas pritjes, kryebashkiaku kavajas Isa Sakja e njohu homologen e tij të qytetit austriak Grieskirchen, Maria Pachner, me investimet kryesore në Kavajë, duke u përqëndruar edhe tek ndërtimi i parkut të ri rekreativ.