Ballina Aktualitet Kavajë, ndihma materiale për fëmijët jetimë dhe të varfër (VIDEO)

Kavajë, ndihma materiale për fëmijët jetimë dhe të varfër (VIDEO)

Bashkia e Kavajës, në bashkëpunim të ngushtë me grupe të ndryshme të shoqërisë civile, si Fondacioni “Halilaj” dhe Shoqata “3 Dhjetori”, u kanë ardhur në ndihmë kategorive të ndryshme të fëmijëve dhe familjeve në nevojë.

Me rastin e festave të fundvitit, fëmijët jetimë të Kavajës, si edhe anëtarë të Shoqatës së të Verbërve, Shoqatës së Personave me Aftësi të Kufizuar dhe Shoqatës së Paraplegjikëve dhe Tetraplegjikëve ishin mbledhur në mjediset e Pallatit të Kulturës “Kavaljon”, ku u bënë pjesë e një ceremonie modeste për dorëzimin e ndihmave materiale.

Qëllimi i organizatave bamirëse, së bashku me Bashkinë e Kavajës, ishte që, në këto ditë festash, kategoritë e personave dhe familjeve në nevojë të mos mbeteshin të harruara. Me këtë rast, përfaqësuesit e Bashkisë së Kavajës kanë nënvizuar faktin se projekte të tilla bashkëpunimi me shoqërinë civile do të vijojnë të jenë në qendër të vëmendjes.