Ballina Aktualitet Kavajë, miratohet buxheti prej 900 mln lekë, investimet publike rreth 172 mln...

Kavajë, miratohet buxheti prej 900 mln lekë, investimet publike rreth 172 mln lekë (VIDEO)

Këshilli Bashkiak i Kavajës ka miratuar buxhetin e vitit 2019, së bashku me programin afatmesëm buxhetor 2019-2021. Buxheti i vitit të ardhshëm është parashikuar të jetë rreth 900 milionë lekë, ku investimet publike arrijnë deri në 172 milionë lekë.

Gjatë diskutimeve, këshilltarët kanë shprehur qëndrimet e tyre lidhur me prioritetet e përzgjedhura nga Bashkia e Kavajës, ndërkohë që kryebashkiaku Isa Sakja ka theksuar se, pavarësisht faktit që viti tjetër do të jetë edhe vit elektoral, nuk do të ketë asnjë shtesë në organikën e Bashkisë dhe se prioritet i është dhënë investimeve publike dhe shërbimeve për qytetarët.

Buxheti i Bashkisë së Kavajës formohet nga të të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore, nga fondet që transferohen nga buxheti i shtetit dhe nga fondet vendore të papërdorura të këtij viti. Të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore janë parashikuar në rreth 477 milionë lekë, transferta nga buxheti i shtetit do të jetë rreth 351 milionë lekë, ndërsa fondet e trashëguara arrijnë në mbi 71 milionë lekë.

Krahas vazhdimit të investimeve të mbartura nga ky vit, siç janë rikonstruksioni i dy shëtitoreve të Kavajës, rikonstruksioni i rrugëve në fshatrat Luz i Vogël, Synej dhe Vorrozen, rikonstruksioni i rrugës Golem-Mali i Robit, etj., për vitin e ardhshëm është parashikuar rikualifikimi i rrugicave të Kavajës dhe rikonstruksioni i disa rrugëve në fshatrat Shtodhër, Helmës, Qerret, Rrakull etj. Njëkohësisht, si pjesë e buxhetit për investimet publike, Bashkia e Kavajës ka parashikuar edhe rikonstruksionin e disa shkollave, shtimin e hapësiave të gjelbëruara dhe përmirësimin e furnizimit të popullatës me ujë të pijshëm.