Ballina Aktualitet Kavajë, mblidhet 91 përqind e taksës së pasurisë së paluajtshme

Kavajë, mblidhet 91 përqind e taksës së pasurisë së paluajtshme

Gjatë vitit të kaluar, Bashkia e Kavajës arriti të mbledhë pak më shumë se 91 përqind të taksës së pasurisë së paluajtshme. Kjo taksë përfshin tarifën që banorët paguajnë për metër katrorë për banesat, njësitë tregtare, trojet dhe tokat bujqësore, etj.

Sa i përket taksës për ndërtesat dhe të asaj për trojet dhe tokat bujqësore, shuma e arkëtuar është rreth 86,6 milionë lekë. Megjithatë, krahasuar me njësitë e tjera vendore në rrafsh kombëtar, niveli i arkëtimit të taksës së pasurisë së paluajtshme në Bashkinë e Kavajës është relativisht i lartë.

Sa i përket të ardhurave nga taksa e ndërtesave, realizimi është pak më shumë se 61 milionë lekë, nga 69,1 milionë lekë që ishin parashikuar. Ndërkohë, një tjetër taksë nga e cila Bashkia e Kavajës merr të ardhura është edhe taksa e tokës bujqësore, e cila është realizuar në masën 82 përqind. Taksa mbi trojet është realizuar mbi planin e parashikuar, duke u arkëtuar rreth 10,1 milionë, ndërsa planifikimi ishte 9,8 milionë lekë.

Duke marrë parasysh ecurinë e përgjithshme të mbledhjes së të ardhurave vendore nga Bashkia e Kavajës, duket qartë se mbledhja e taksës së pasurisë së paluajtshme është në nivele më të larta.