Ballina Aktualitet Kavajë, kryebashkiaku Isa Sakja uron besimtarët e krishterë për Krishtlindje (VIDEO)

Kavajë, kryebashkiaku Isa Sakja uron besimtarët e krishterë për Krishtlindje (VIDEO)

Komuniteti i besimtarëve të krishterë orthodhoksë në qytetin e Kavajës ka pritur sot urimet me rastin e festës së madhe të Krishtlindjeve. Pas zhvillimit të meshës së rastit, gjatë mëngjesit të sotëm në Kishën e Shën Nikollës, nisi edhe pritja e urimeve. Të shumtë ishin qytetetarët, intelektualët dhe përfaqësuesit e institucioneve publike dhe të forcave politike në Kavajë, të cilët përcollën urimet e tyre. Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Isa Sakja, ishte gjithashtu i pranishëm, duke i uruar Krishtlindje të gëzuara gjithë komunitetit të besimtarëve të krishterë. Në urimin e tij, kreu i Bashkisë së Kavajës theksoi edhe dëshirën për më tepër paqe dhe harmoni mes njerëzve, për më tepër begati dhe prosperitet për Kavajën dhe gjithë vendin.

Krishtlindja është festa e lindjes së Jezu Krishtit, i cili zbriti në tokë për të shlyer mëkatet e njerëzimit dhe për ta kthyer atë në shtëpinë e Perëndisë. Krishtlindja është festa në të cilën besimtarët e krishterë urojnë dhe dëshirojnë më shumë se kurrë paqe e dashuri në botë. Krishtlindja kremtohet me shfaqjen e skenës së lindjes së Jezu Krishtit, me pemën e Krishtlindjes, shkëmbimin e dhuratave, kartolinave dhe ardhjen e Shën Nikollës, si edhe me drekën tradicionale në çdo familje besimtare.