Ballina LAJME Kavajë, Klubi i Futbollit “Besa” dhe Bashkia e Kavajës ndihmojnë Qendrën Sociale...

Kavajë, Klubi i Futbollit “Besa” dhe Bashkia e Kavajës ndihmojnë Qendrën Sociale të Fëmijëve (VIDEO)

Fëmijët me aftësi të kufizuara të qytetit të Kavajës kanë kaluar sot një ditë ndryshe, teksa morën dhurata të shumta nga lojtarët e Klubit të Futbollit “Besa”. Me këtë rast, që sot e tutje, këta fëmijë do të jenë edhe tifozët më të veçantë të “Besës”, pasi do të kenë edhe vendin e tyre të posaçëm në stadium.

Me afrimin e festave të fundvitit, Bashkia e Kavajës dhe Klubi i Futbollit “Besa” shpërndanë dhurata për fëmijët me aftësi të kufizuara, të cilët asistohen pranë Qendrës Sociale të Fëmijëve. Krahas përfaqësuesve të Klubit të Futbollit “Besa”, siç ishin administratori Kledi Zeneli, trajneri Gentjan Begeja dhe kapiteni Meglit Mihani, i pranishëm ishte edhe inspektori i sporteve në Bashkinë e Kavajës, Fatmir Efica.

Ky i fundit, në fjalën e tij përshëndëtëse, falenderoi fëmijët që u bënë pjesë e aktivitetit dhe theksoi se “gjëja më kuptimplotë ishin pikërisht dhuratat që vetë ata kishin përgatitur për futbollistët e “Besës”.

Ndërkohë, administratori i Klubit të Futbollit “Besa” theksoi se, që sot e tutje, “këta fëmijë do të kenë akses në një zonë të caktuar të stadiumit dhe të jenë pjesë e pandashme e çdo ndeshje.”

Drejtoresha e Qendrës Sociale të Fëmijëve, Rovena Lushka, falenderoi Bashkinë e Kavajës dhe futbollistët e “Besës” për iniciativën e ndërmarrë.