Ballina Aktualitet Kavajë, fëmijët e vegjël në skenë me këngët e të mirënjohurës Parashqevi...

Kavajë, fëmijët e vegjël në skenë me këngët e të mirënjohurës Parashqevi Simaku (VIDEO)

Dashuria për këngën dhe nderimi për këngëtaren e mirënjohur Parashqevi Simaku ka sjellë talentet e rinj të Qendrës Kulturore të Fëmijëve të Kavajës në skenën e Pallatit të Kulturës “Kavaljon”.

Fëmijët e vegjël kishin kohë që përgatiteshin për këtë aktivtet, duke zgjedhur për të interpretuar këngë të ndryshme nga repertori i pasur i këngëtares kavajase.

Aktiviteti u hap me një prezantim të shkurtër filmik të karrierës së gjatë të Parashqevi Simakut. Që prej vitit 1982, ajo ka qenë pjesëmarrëse e rregullt në Festivalin e Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, duke fituar dy çmime të para, në vitin 1985 dhe 1988, si edhe disa çmime të dyta dhe të treta. Prej disa kohësh tashmë, Parashqevi Simaku e ka përqëndruar karrierën e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Krahas spektatorëve të shumtë, të pranishëm në aktivitet ishin edhe familjarë të Parashqevi Simakut. Adelina Sharra, drejtoresha e Qendrës Kulturore të Fëmijëve të Kavajës, vuri në dukje punën e bërë për të sjellë në skenë këtë koncert të veçantë. Ndërkohë, përshtypjet më të mira nga ky koncert i shprehu edhe Valbona Simaku, e afërme e familjes së këngëtares Parashqevi Simaku.

Fëmijët e vegjël, me zërin e tyre të bukur zgjuan tek të pranishmit edhe nostalgjinë e viteve të dikurshme, kur këngët e Parashqevi Simakut na mbanin lidhur pas radios apo ekranit të televizorit.