Ballina Aktualitet Kavajë, Fatmir Efica sjell në libër historinë e Klubit të Futbollit “Luzi...

Kavajë, Fatmir Efica sjell në libër historinë e Klubit të Futbollit “Luzi 2008” (VIDEO)

Padyshim që ëndrrat dhe dëshirat e lojtarëve, stafit teknik dhe drejtuesve të Klubit të Futbollit “Luzi 2008” janë të mëdha, siç dëshmohen edhe në librin e gazetarit të mirënjohur sportiv Fatmir Efica. Në fakt, ishte pikërisht promovimi i këtij libri që mblodhi në takim personalitete të shquara të futbollit, të gazetarisë sportive dhe drejtues të organeve të pushtetit vendor në Kavajë.

“Luzi 2008” gjendet sot në vendin e parë të Grupit A të Kategorisë së Dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, dhe fjalët e trajnerit Lorenc Pasha për objektivin e ngjitjes në elitën e futbollit shqiptar nuk janë aspak pa bazë. Gjasat janë që, edicionin e ardhshëm, “Luzi 2008” të luajë në Kategorinë e Parë.

Por, si arriti Klubi i Futbollit “Luzi 2008” në këtë ditë, kur kërkon të bëhet pjesë e ekipeve më të mira të futbollit shqiptar?

Këtë do ta mësoni nga libri “Luzi 2008 – 10 vite futboll dhe sfida”, i autorit Fatmir Efica. Klubi i Futbollit “Luzi 2008” lindi pikërisht në vitin 2008, në Luz të Vogël, një qytezë fare pranë Kavajës, por që kurrsesi nuk pranoi të qëndrojë nën hijen e askujt. Vit pas viti, ky klub futbolli njohu vetëm rezultate në rritje, duke bërë që sot të pretendojë të shkruajë një faqe të re të historië së vet.

Beqir Çorumi, mësuesi i palodhur dhe redaktori i këtij libri, nuk mund të linte pa vënë në dukje vlerat dhe rëndësinë e dokumentimit të kësaj dekade të parë të historisë së Klubit të Futbollit “Luzi 2008”.

Kjo ngjarje e veçantë në historinë e këtij klubi futbolli, por edhe ky takim shumë i bukur i personaliteve sportive nga i gjithë vendi, nuk mund të ishte e plotë pa përshëndetjen edhe të kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Isa Sakja, i cili vlerësoi kontributin e Fatmir Eficës në këtë libër të ri.

Vetë autori Fatmir Efica, gazetar i mirënjohur sportiv në vend dhe fitues i Çmimit “Anton Mazreku” në vitin 2001, theksoi rëndësinë e evidentimit të vlerave të tilla jo vetëm në këndvështrimin historik, por edhe për edukimin e brezave më të rinj.

Ky takim promovues i librit të Fatmir Eficës, që u drejtua me shumë dashuri nga gazetari sportiv Dëfrim Methasani, kishte të pranishëm edhe këshilltarin për sportet pranë Presidentit të Republikës, ish-volejbollistin e njohur Leonard Tase, presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, komentatorin e mirënjohur të futbollit Ismet Bellova, shumë personalitete të tjera të gazetarisë sportive në vend, ish-futbollistë kavajas, dhe drejtues të tjerë të institucioneve vendore të Kavajës.