Ballina Aktualitet Kavajë, Dita e Rinisë, të rinjtë ndihmojnë në ndërtimin e parkut të...

Kavajë, Dita e Rinisë, të rinjtë ndihmojnë në ndërtimin e parkut të ri të qytetit

Dita e Rinisë e ka gjetur sot Bashkinë e Kavajës dhe të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike në një aktivitet disi ndryshme, ku, me rastin e 8 Dhjetorit, ata mbollën 28 pemët e para të parkut të ri të qytetit. Parku i ri i Kavajës, me sipërfaqe prej rreth 84 000 metra katrorë ka nisur të ndërtohet me fondet e buxhetit vendor dhe kryebashkiaku Isa Sakja me këtë rast tha se “Bashkia e Kavajës do të mbështesë nismën e të rinjve, por edhe të çdo qytetari tjetër, për të ndihmuar në gjelbërimin e qytetit.”

Diti e Rinisë përkujton fillimin e protestave të studentëve kundër regjimit komunist, më 8 dhjetor 1990. Kjo ditë kujtohet çdo vit, dhe kësaj radhe të rinjtë kavajas kanë zgjedhur të kontribuojnë në gjelbërimin e parkut të ri të qytetit.

Në ndihmë të tyre ishte edhe kryetari i Bashkisë së Kavajës, Isa Sakja, i cili, në fjalën e tij, u shpreh se u është mirënjohës të rinjve për iniciativën e marrë. “Jam këtu sot për të mbështetur iniciativën e Forumit Rinor të Partisë Demokratike dhe të të gjithë të rinjve kavajas, – tha kryebashkiaku Sakja. – Bashkia e Kavajës, falë edhe menaxhimit shumë më të mirë të taksave të qytetarëve, krijoi fondin e nevojshëm për të filluar ndërtimin e këtij parku, një ndërmarje kjo që nuk ishte aspak e lehtë. Kavaja jonë e bukur e meriton të ketë një park të ri, park ky që fillon me mbjelljen e 28 pemëve të para, pemë këto që simbolizojnë 28 vitet që nga fillimi i protestës së studentëve për liri dhe demokraci.”

Në këtë ditë, kreu i Bashkisë së Kavajës u ka bërë thirrje çdo qytetari që t’i bashkohet kësaj nisme dhe të ofrojë ndihmën e vet në shtimin e pemëve në park.

Duke marrë shkas edhe nga Dita e Rinisë, një grup prindërish ishin mbledhur në qendër të qytetit të Kavajës, ku, me pankarta në duar, treguan mbështetjen e tyre për protestën e studentëve para Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Tiranë, protestë kjo që tashmë ka hyrë në ditën e saj të katërt.