Ballina Aktualitet Kavajë, defektet në ujësjellës, ndërmarja premton kthimin e rrugëve në gjendjen e...

Kavajë, defektet në ujësjellës, ndërmarja premton kthimin e rrugëve në gjendjen e mëparshme (VIDEO)

Mosha e vjetër e rrjetit shpërndarës të ujit të pijshëm në qytetin e Kavajës, që daton që në fillim të viteve ’70, dhe shtimi i sasisë dhe i presionit të ujit kanë bërë që të shfaqen defekte nga më të ndryshmet. Kjo ka detyruar punonjësit e ndërmarjes së Ujësjellës-Kanalizimeve të Kavajës që të ndërhyjë për riparimin e tyre, gjë që shpesh sjell si rezultat edhe çarjen e rrugëve.

Ky realitet përbën shqetësim për banorët e qytetit, por drejtuesit e Ujësjellës-Kanalizimeve të Kavajës kërkojnë mirëkuptimin e tyre. Drejtori i kësaj ndërmarje, Hajrulla Tafa, thekson se, pas riparimit të defekteve, punonjësit e Ujësjellës-Kanalizimeve do të realizojnë edhe kthimin e rrugëve në gjendjen e mëparshme.

Gjatë muajve të fundit, ndërmarja e Ujësjellës-Kanalizimeve në Kavajë ka riparuar më shumë se 80 defekte të ndryshme. Njëkohësisht, me fondet e buxhetit të Bashkisë së Kavajës, janë parashikuar edhe investime për rrjet të ri shpërndarës në disa zona, si tek ish-Fabrika e Letrës, në Qerret, në Stanin e Ri, etj. Investimet janë bërë të mundur kryesisht pas përmirësimit të performancës financiare të ndërmarjes.