Ballina LAJME Kavajë, atmosfera e fundvitit do të jetë pa kapsolla, shashka dhe pa...

Kavajë, atmosfera e fundvitit do të jetë pa kapsolla, shashka dhe pa zhurma (VIDEO)

Festat e fundvitit po afrojnë dhe ato do të jenë ndryshe nga çdo herë tjetër. Në mënyrë të menjëhershme, qeveria vendosi t’i heqë nga qarkullimi të gjitha lëndët argëtuese plasëse. Atmosfera e fundvitit është tani shumë më e qetë, pa shpërthime kapsollash, pa shashka që hidhen e që trembin njerëzit dhe nata e ndërrimit të viteve premton të jetë pa incidentet e zakonshme dhe dyndjet pranë spitaleve.

Të gjithë do të festojmë dhe do të gëzojmë, duke pritur me padurim Vitin e Ri, por ajo çfarë i mungon vigjiljes së festave është zhurma karakteristike e kapsollave dhe shashkave.

Teksa ecim nëpër rrugët e qytetit të Kavajës, ashtu si në çdo qytet tjetër të vendit,  në dyqane nuk shihet më shumëllojshmëria e dikurshme e fishekzjarreve dhe kapsollave. Plasja e tyre kudo nëpër rrugë ishte bërë loja më argëtuese për fëmijët dhe adoleshentët, të cilët shpesh trembnin edhe kalimtarët, pse jo duke sjellë edhe pasoja shëndetësore.

Tani duket se viti 2019 do të vijë ndryshe, pa zhurmat shurdhuese dhe pa rreziqet që na kanoseshin. Viti i ri do të vijë edhe pa numrin e lartë të qytetarëve që përfundonin në urgjencë nga plagët e marra si pasojë e keqpërdorimit të fishekzjarreve apo shashkave.