Ballina Aktualitet Kavajë, 25 mars 1990, përkujtohet dita kur filluan lëvizjet e para antikomuniste...

Kavajë, 25 mars 1990, përkujtohet dita kur filluan lëvizjet e para antikomuniste (VIDEO)

Kavaja ka përkujtuar ditën kur të rinjtë e qytetit, më 25 mars 1990, lëshuan thirrjet e para kundër regjimit komunist, pikërisht në atë vend ku edhe filloi fundi i diktaturës më të egër në Evropë. Vendi ishte Stadiumi “Besa”, ku në atë ditë të veçantë zhvillohej ndeshja e futbollit Besa – Partizani.

Të rinjtë, në mënyrë demonstrative, grisën veprat e diktatorit Enver Hoxha, ndërkohë që hodhën edhe parrullat “Poshtë komunizmi!”, “Poshtë diktatura!” etj.

Me këtë rast, në stadiumin e qytetit u luajt edhe ndeshja miqësore e futbollit Besa – Kastrioti, pikërisht për të risjellë sadopak atmosferën e asaj dite, kur edhe në vendin tonë nisi të lindë dielli i demokracisë.

Njëkohësisht, në këtë ditë të paharruar të historisë së qytetit të Kavajës dhe të të gjithë vendit, shumë nga pjesëmarrësit në atë revoltë, por edhe ish-përndjekur nga regjimi komunist, ishin mbledhur për të marrë pjesë në promovimin e librit “Valë të nxehta në Shqipëri”, të autores Griselda Rrugeja. Libri sjell për lexuesit pikërisht mbresat e asaj ngjarje të madhe.

Të nesërmen e 25 marsit 1990, në Kavajë u organizua edhe demonstrata e parë e vërtetë antikomuniste.