Ballina Aktualitet Kavajë, 17,3 milionë lekë për projektet e rehabilitimit të infrastrukturës në Luzin...

Kavajë, 17,3 milionë lekë për projektet e rehabilitimit të infrastrukturës në Luzin e Vogël (VIDEO)

Bashkia e Kavajës ka nisur punën për rivitalizimin e infrastrukturës publike në Luz të Vogël, Vorrozen dhe Synej. Në dispozicion të zbatimit të këtyre projekteve është përcaktuar fondi i përgjithshëm prej mbi 17,3 milionë lekë.

Në fund të vitit të kaluar, teksa miratoi buxhetin, Këshilli Bashkiak i Kavajës miratoi gjithashtu edhe planin e investimeve, duke përcaktuar edhe projektet që do të financoheshin. Buxheti ka parashikuar një seri ndërhyrjesh me qëllim përmirësimin e infrastrukturës publike dhe të cilësisë së jetës së qytetarëve.

Në këtë drejtim, sa i përket njësisë administrative të Luzit të Vogël, e cila përfshin fshatrat Luz i Vogël, Vorrozen, Beden dhe Blerimaj, Bashkia e Kavajës ka parashikuar rivitalizimin e qendrës së Luzit të Vogël dhe rikonstruksionin e rrugës hyrëse në Vorrozen. Ndërkohë, në njësinë administrative të Synejit është parashikuar edhe rehabilitimi i një lulishte dhe i hapësirave të tjera publike.

Projekte të tilla janë konkretizim i planeve zhvillimore për të shpërndarë dhe investuar fondet publike në të gjithë territorin e Bashkisë së Kavajës. Krahas projekteve të mësipërme, në Kavajë pritet të nisë puna edhe për investime të tjera, në zonën e Qerretit, Golemit, Malit të Robit etj.