Ballina Aktualitet Kavajë, 1 Maji, qytetarët zgjedhin që në këtë ditë të bëjnë vetëm...

Kavajë, 1 Maji, qytetarët zgjedhin që në këtë ditë të bëjnë vetëm pushim (VIDEO)

1 Maji është Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, një ditë kjo për të përkujtuar dhe promovuar përpjekjet për më tepër të drejta dhe kushte më të mira pune për ta. Por, me sa duket, ne ende nuk shkëputemi dot nga tradita e dekadave të regjimit komunist, duke e konsideruar 1 Majin, në mënyrë krejt paradoksale, si ditë feste.

Edhe këto pamje nga qyteti i Kavajës sot tregojnë qartë se qytetarët mezi kanë pritur të shfrytëzojnë këtë ditë më tepër si ditë pushimi se sa një ditë për të tërhequr vëmendjes drejt problemeve që punëtorët kanë.

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve fillesat i ka tek Masakra e Sheshit Haymarket, në Çigako të Shteteve të Bashkuara, në majin e vitit 1886. Më 1 maj të atij viti, kudo në qytetet e mëdha amerikane u zhvilluan marshime proteste, ku punëtorët kërkonin sanksionimin e ditës 8-orëshe të punës. Marshimet vazhduan për disa ditë dhe, në Sheshin Haymarket, në Çikago, përplasja me policët degjeneroi në një masakër të vërtetë, ku mbi 10 persona mbetën të vrarë.

Që prej asaj kohe, kushtet e punës dhe jetës së punëtorëve kanë ardhur duke u përmirësuar, por kjo nuk do të thotë se më e mira është arritur. Në vendin tonë, rastet e aksidenteve në punë janë bërë tashmë dukuri e zakonshme, ndërkohë që minatorët apo naftëtarët vijojnë pa sukses të këmbëngulin për të drejtat e tyre dhe lëvizjet sindikaliste janë praktikisht inekzistente.