Katër persona në pranga, grabisnin karburante me motorra të vjedhur

26

Katër persona, pjesë të një grupi grabitësish, janë arrestuar në Krujë pas një sërë vjedhjesh.

Në pranga kanë përfunduar D. B., 21 vjeç, banues në Magzazë, Fushë Krujë, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”, S. S., 17 vjeç, banues në Kameras, Fushë Krujë, K. M., 21 vjeç dhe A. M., 23 vjeç, banues në Thumanë.

Gjithashtu është shpallur në kërkim shtetasi H. X., 26 vjeç, banues në Larushk, Krujë, i dënuar më parë për veprat penale “Vjedhja” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Hetimet kanë nxjerrë në dritë se këta persona janë autorë të vjedhjes me dhunë të një shume parash në një karburant në fshatin Arameras, si dhe autorë të vjedhjes së tre motomjeteve, të cilët i kanë përdorur më pas për të realizuar vjedhje të tjera, kryesisht vjedhje parash në pika karburanti.

Gjatë operacionit, në banesën e shtetasit K. M. dhe të shtetasit A. M. (kushërinj), janë gjetur rreth 1000 kubikë të kultivuar me fara kanabisi.

Në cilësinë e provave materiale u sekuestruan veshje të përdorura nga autorët për të kryer vjedhjet, 1 automjet tip “Fiat”, 2 motomjete, rreth 1000 kubikë me fidanë të bimës narkotike cannabis sativa, 1 armë gjahu teke dhe 1 armë gjahu shotgan, 3 aparat celular dhe sende të tjera.

Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për zbardhjen e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre personave, si dhe identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.