Ballina Aktualitet Kapja e shqiptarit të arratisur nga burgu grek, nga vrasja në Shqipëri...

Kapja e shqiptarit të arratisur nga burgu grek, nga vrasja në Shqipëri te trafiku i drogës

Ka zgjatur më pak se 24 orë arratisja e Albiano Xhezairit. 23-vjeçari nga Ksamili, mbrëmjen e së hënës u arratis nga burgu i Avlonës bashkë me një të dënuar sirian. Xhezairi u kap mesditën e së martës në rrugën “Menanadrou”, në qendër të Athinës.

Xhezairi është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare dhe atë greke. Ai rezulton i dënuar në Greqi me 16 vite burg, pasi në maj 2017 është arrestuar për drogë. Xhezairi merrte lëndë narkotike nga kufiri i gjelbër dhe e magazinonte atë në banesën që kishte me qira në Athinë dhe më pas e shiste.

Ai ishte përfshirë në një grup kriminal të trafikut të drogës nga Shqipëria në Greqi. Roli i tij ishte të transportonte drogë nga kufiri i gjelbër në Athinë. Në momentin e arrestimit atij iu gjet në banesë mbi 3 kg marijuanë, pistoletë, thikë dhe peshore. Përveç kësaj i riu rezulton i dënuar në Shqipëri për vrasje. Xhezairi është shpallur fajtor për vrasjen e Aleksandër Bardhit dhe ka marrë dënim me 24 vite burg. Konkretisht, më 24 shtator 2016 ai ka vrarë në Shëndëlli të Sarandës 47-vjeçarin Bardhi, shkruan gazeta panorama.

Vrasja e Bardhit ishte e paparamenduar dhe pjesë e vrasjes ishin dhe dy persona të tjerë. Ata u nisën nga Ksamili për të vjedhur disa bimë kanabis sativa në një parcelë që kishin zbuluar në fshatin Shëndëlli. Të armatosur rëndë me 3 kallashnikovë, ata u përballën me Aleksandër Bardhin që po futej në parcelë me mjetin e tij. Teksa Dhimitër Çiko dhe Amarildo Lame ishin larguar për te varka, Albiano Xhezairi qëndroi duke qëlluar me breshëri mbi mjetin që po vinte e duke lënë të vdekur Aleksandër Bardhin.

Disa ditë më vonë, Policia vuri në pranga vetëm Çikon dhe Lamen, ndërkohë që Xhezairi vazhdon të jetë person në kërkim. Por ngjarja nuk përfundoi me kaq. Në 30 tetor 2016, babai i Albiano Xhezairit, Agroni, gjeti një sasi lëndë plasëse të llojit tritol me celular në automjetin e tij. Bomba nuk kishte arritur të plaste dhe ajo u çaktivizua nga forcat RENEA.

Por paralajmërimi nuk do të mbetej kaq për të, pasi më 11 dhjetor 2016, 53-vjeçari Agron Xhezairi u vra në një pritë teksa po hynte në banesën e tij. Ai u qëllua me kallashnikov nga një distancë e shkurtër dhe mbeti i vdekur në vend, në një ngjarje që ende nuk është zbardhur. Ndërsa më 19 gusht është vrarë në Ksamil Vangjel Çiko, babai i Dhimitrit. Ndërsa familja Lame nga fshati Shalës i Sarandës është larguar nga Shqipëria dhe është marrë në mbrojtje nga shteti, shkruan gazeta panorama.

Albiano Xhezairi konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ndërsa familja Bardhi ku ai ka kryer vrasje konsiderohet një nga familjet më me influencë ne rrethin e Sarandës.

Vëllai i Aleksandrit, Petriti, ka qenë kryetar i Komunës Kaçinar në Mirditë, ndërsa vëllai tjetër Floriani është biznesmen dhe aktualisht këshilltar në Bashkinë Konispol. Albiano Xhezairi dyshohet të ketë kryer dhe vrasje në burg në Greqi dhe konsiderohet pjesë e “Mafies se Koridhalos”.