Ballina LAJME Kapen 204 kg drogë në Malësi të Madhe, 1 person në pranga...

Kapen 204 kg drogë në Malësi të Madhe, 1 person në pranga dhe 1 tjetër në kërkim

Policia e Shkodrës ka gjetur dhe ka sekuestruar  në një automjet të tipit “Land Rover” 204 kg lëndë narkotike e llojit “marijuanë” në Vrakë të Malësisë së Madhe.

Sipas informacioneve të bëra të ditura në komunikatën për shtyp, në pranga ka përfunduar drejtuesi i makinës, shtatasi me iniciale M.K., 33 vjeç, ndërkohë që është shpallur në kërkim një person i dytë, shtetasi me iniciale D.B., 35 vjeç, i cili dyshohet si zotërues i sasisë së konsiderueshme të drogës.

Në cilësinë e provës materiale, Policia ka sekuestruar edhe automjetin “Land Rover” , një tjetër të tipit “Mercedes Benz”, 4 telefona celularë, si dhe mjete që bashkëpunëtorët i përdornin për paketim e lëndës narkotike.  Grupi hetimor po vijon operacionin antidrogë të koduar “Liqeni” mbi identifikimin e plotë të grupit kriminal, që merrej me organizimin, financimin, transportin dhe trafikimin e lëndës narkotike nga qyteti i Shkodrës në drejtim të Malit të Zi.

Materialet proceduriale i kanë kaluar Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Shkodrës, që do të ndjekë veprimet e mëtejshme lidhur me veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve të kryer në bashkëpunim dhe të mbetur në tentativë”, si edhe  mbi aktin e “Prodhimit e shitjes së narkotikëve të kryer në bashkëpunim”, të parashikuara nga nenet 283/a/2 -22 dhe 283/2 të Kodit Penal.