Ballina Aktualitet Kapen 172 kg marijuanë në kufi me Greqinë, pranga 3 shqiptarëve

Kapen 172 kg marijuanë në kufi me Greqinë, pranga 3 shqiptarëve

Tre operacione anti-drogë janë zhvilluar 24 orët e fundit në kufirin greko-shqiptar, ku u sekuestruan në total rreth 172 kg marijuane.

Në rrugën periferike Palamba-Mavroneri në Igumenicë, policia greke ka ndaluar një mjet që vinte nga kufiri i gjelbër. Brenda në mjet janë gjetur dhe sekuestruar 116 kg marijuanë dhe 3 celulare. Policia ka arrestuar drejtuesin e mjetit, një shqiptar 20-vjeçar dhe ka shpallur në kërkim pronarin e mjetit, një tjetër shtetas shqiptar.

Rasti i dytë është shënuar në Sajadhe të Igumenicës, ku është ndaluar një motor që vinte nga kufiri i gjelbër. Brenda në motor janë gjetur dhe sekuestruar 9 pako me 4 kg e 740 gram marijuanë. Pranë vendit të ngjarjes është gjetur dhe një çantë tjetër me 4 kg e 600 gram marijuanë. Në total u sekuestruan 9 kg e 340 gram marijuanë. Po ashtu u sekuestrua dhe një mjet me rimorkiator në të cilin drejtuesi i motorit, shqiptar 25-vjeç që u arrestua, do të vendoste motorin.

Rasti i tretë brenda 24 orësh u regjistrua në Kampi, Artë ku është ndaluar një mjet që vinte nga kufiri i gjelbër. Brenda në mjet janë gjetur dhe sekuestruar 22 pako me 46 kg 385 gram marijuanë. U arrestua drejtuesi i mjetit dhe pasagjeri, një mashkull grek 24-vjeç dhe një shtetase shqiptare 27-vjeçe.