Ballina RAJONI Kosovë, kancelari austriak Sebastian Kurz pritet të mbërrijë sot

Kosovë, kancelari austriak Sebastian Kurz pritet të mbërrijë sot

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz mbrëmjen e sotme pritet të arrijë në Kosovë, për një takim me presidentin e vendit, Hashim Thaçi, si dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, ku gjithashtu do të zhvillojë edhe disa takime me ushtarët austriakë të KFOR-it.

Temat kryesore që do të diskutohen në këto takime sipas APA, janë çështja e dialogut Kosovë-Serbi, perspektiva evropiane e Kosovës si dhe çështja e formimit të Ushtrisë së Kosovës.

Në njoftimin e kabinetit qeveritar të kryeministrit të Austrisë u bë e ditur se ai gjatë vizitës në Kosovë do t’i japë mbështetje procesit të afrimit të vendeve të Ballkanit me BE-në dhe të inkurajojë perspektivën euroatlantike të këtyre vendeve, duke inkurajuar edhe vazhdimin e dialogut në mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Arritja e një marrëveshjeje përmes dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, është kusht për anëtarësimin e plotë të dy vendeve në BE,” – thuhet më tej në njoftimin e Qeverisë Austriake.