Ballina BOTA Kanada, zbulohet diamanti më i madh i Amerikës së Veriut

Kanada, zbulohet diamanti më i madh i Amerikës së Veriut

Sipas mediave vendase, është bërë me dije zbulimi i diamantit më të madh ndonjëherë në Amerikën e Veriut, në një minierë në Kanada pranë Rrethit Arktik.

“Ky diamant i verdhë 522 karatë u zbulua në minierën “Diavik Diamond”, që ndodhet në veri të Kanadasë rreth 217 kilometra në jug të Rrethit Arktik,” – njoftoi gazeta “Toronto Star”, duke cituar burime nga kompania që shfrytëzon këtë minierë, “Dominion Diamond Mines”.

Një diamant i kësaj madhësie është krejtësisht i papritur në këtë pjesë të botës dhe shënon një moment historik për minierat e diamanteve në Amerikën e Veriut.

Ky gur i çmuar mendohet të jetë një prej 30 më të mëdhenjtë të zbuluar ndonjëherë.

Kompania tha gjithashtu se xhevahiri në formë veze nuk do të shitet në formën e tij bruto, përkundrazi “Dominion” do të kërkojë partnerë për të pastruar dhe prerë gurin.

Afrika e Jugut mban titullin për diamantin më të madh të zbuluar ndonjëherë, diamanti Cullinan që është 3 106 karatë, i zbuluar në 1905.