Ballina Aktualitet Kamëz, iftar në sheshin qendror të qytetit, merr pjesë edhe kryedemokrati Basha...

Kamëz, iftar në sheshin qendror të qytetit, merr pjesë edhe kryedemokrati Basha (VIDEO)

Qindra besimtarë myslimanë agjërues, në këtë muaj të shenjtë të Ramazanit, janë bërë bashkë në iftarin tradicional që u organizua nga Bashkia e Kamzës me ndihmën e organizatës bamirëse humanitare Qatar Charity.

Iftari u organizua në qendër të qytetit të Kamzës, ku besimtarët u mblodhën për të ndarë me njëri-tjetrin lutjet dhe urimet e tyre për më tepër paqe, begati e harmoni në familje e shoqëri.

Në këtë organizim, një dëshmi e vërtetë kjo e atmosferës që krijon muaji i Ramazanit, një atmosferë e cila thenkson edhe më tepër lidhjet dhe dashurinë mes njerëzve, merrnin pjesë përfaqësuesi i Qatar Charity, Shkëlqim Hasula, nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Lauren Luli, dhe padyshim edhe kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu.

Pas thirrje së ezanit, agjëruesit çelën iftarin me urimin e përbashkët që Zoti të pranojë sakrificën e tyre. Këtë urim dhe lutje pati edhe nënkryetari i Komunitetit Mysliman, Lauren Luli, i cili nënvizoi vlerat e veçanta të muajit të Ramazanit.

Një urim për muajin e Ramazanit, për gjithë bashkëqytetarët e tij myslimanë, pati edhe kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu.

Këtij iftari, të shtruar në qendër të Kamzës iu bashkua edhe lideri demokrat Lulzim Basha. Teksa është përshëndetur me qytetarët e shumtë të mbledhur në këtë iftar, kreu i Partisë Demokratike, i shoqëruar edhe nga kryebashkiaku i Kamzës, ka shkëmbyer urimet e rastit edhe me nënkryetarin e Komunitetit Mysliman. Njëkohësisht, lideri demokrat Lulzim Basha pati edhe urimin e tij për gjithë agjëruesit në këtë muaj të shenjtë të Ramazanit.

Në fund, teksa dëgjonin edhe lutjet dhe falenderimet drejtuar Zotit dhe organizatorëve të këtij iftari, organizatës bamirëse humanitare Qatar Charity dhe Bashkisë së Kamzës, besimtarët janë larguar me shpresën se e ardhmja do të jetë edhe më e begatë për të gjithë ata.