Ballina BOTA Kamerun, piratët rrëmbejnë tetë anëtarë të ekuipazhit të një anije gjermane

Kamerun, piratët rrëmbejnë tetë anëtarë të ekuipazhit të një anije gjermane

Piratët kanë rrëmbyer tetë anëtarë të ekuipazhit të një anije tregtare gjermane pranë brigjeve të Kamerunit dhe deri tani nuk dihet asgjë rreth fatit të tyre. Sipas mediave të huaja, tre nga marinarët e rrëmbyer janë shtetas rus, dhe kjo është konfirmuar edhe nga autoritetet në Moskë, ndërsa ende nuk është sqaruar kombësia e pesë të rrëmbyerve të tjerë.

Kompania gjermane MC-Schiffahrt, e cila ka në pronësi anijen “MV Marmalaita”, ka njoftuar rrëmbimin nga një grup piratësh që e kishin sulmuar atë, teksa ajo po i afrohej portit të Doualas, në Kamerun.

Anija tregtare “MV Marmalaita” kishte një ekuipazh prej 12 anëtarësh. Kompania gjermane MC-Schiffart ka njoftuar se është duke bashkëpunuar me autoritetet vendase për lirimin e të rrëmbyerve.

Vetëm një ditë më parë, piratët kishin rrëmbyer edhe 17 marinarë të tjerë, nëntë kinezë dhe tetë ukrainas. Që nga fillimi i këtij viti, pranë brigjeve të Gjirit të Guinesë, ku përfshihen Kameruni dhe 16 vende të tjera afrikane, janë rrëmbyer 62 marinarë të anijeve të ndryshme tregtare.