Kalo i bën thirrje qytarëve të mos dalin, “E dimë që shumë prej jush janë në vështirësi ekonomike, por jeta e juaj është më e vlefshme”

69

Mjeku infeksionist Tritan Kalo ka bërë sërish apel për të qëndruar në shtëpi. Pas ditëve të fundit ku është diskutuar shumë për paketën e ndihmave, por edhe për vështirësitë me të cilat komunitete në nevojë janë përballur, Kalo kujton se jeta është më e çmuar se çdo gjë.

“Kjo ëndërr e keqe do të kalojë”,shkruan Kalo.

“Kurdoherë me ju dhe për ju….Shërbimi i Sëmundjeve Infektive, QSUT, 28.03.2020….Bashkëqytetarë, ju lutem, ju lutem vejani veshin këshillave tona….mos dilni në asnjë mënyrë nga shtëpitë tuaja pa ndonjë arsye madhore për shëndetin….

E dimë që shumë prej jush janë në vështirësi ekonomike, por jeta e juaj është më e vlefshme se gjithçka….kjo ëndërr e keqe me emrin COVID-19 një ditë do të kalojë, por jetët tuaja të paçmimta askush nuk mundet tua rikthej….

Dita nis për së mbari me dy infermierët e turnit në Pavjonin e parë, Anxhela dhe Mandi, të dy plot dëshirë dhe vullnet për t’ju shërbyer të sëmurëve tanë….kurrë nuk mundet të harrohet në këto ditë edhe kontributi i Policisë së Shtetit, të cilët po sakrifikojnë jo pak për të ruajtur rendin rreth ngrehinës së Covid-19, sikundër konvencionalisht njihet tashmë, Shërbimi i Sëmundjeve Infektive….

Së bashku ne do t’ia dalim mbanë me siguro, ndaj ju lutem, na dëgjoni dhe mbi të gjitha mos nguroni të dëgjoni zërin e Ndërgjegjes suaj…. Vetndërgjegjësohuni”, shkruan Kalo.