Kakavija ul traun, ndërpritet puna, ja rregullat që duhen ndjekur për të kaluar kufirin nga 17 gushti

39

Një orë e gjysmë pasi pika kufitare e Kapshticës uli traun, i njëjti veprim u bë edhe nga Kakavija.

Shkak për këtë u bë mbushja e kuotës prej 750 personash, numër ky i vendosur nga pala greke.

Në Kapshticë kaluan 300 persona e më tej rreth orës 09:30 u bë ndërprerja e punës.

Pala greke lajmëroi autoritetet shqiptare se nga Kakavija do të lejohen 750 persona, ndërsa nga Kapshtica 350. Më tej personat që do të hyjnë në shtetin grek do të bëjnë 7 ditë karantinë.

Ndërkohë që nga dita e nesërme 17 gusht lejohen të kalojnë kufirin:

-Të gjithë ata shtetas të cilët plotësojnë kriteret e vendosura për të udhëtuar drejt Greqisë (qytetarët me shtetësi greke, personat që kanë leje qëndrimi në Greqi, personat me kartë minoritari, personat që kanë vendbanimin e tyre kryesor në Greqi, si dhe ata që e kanë të domosdoshme të udhëtojnë për arsye profesionale-pas marrjes së lejes së posaçme) nga dita e hënë, duhet të paraqesin në kufi edhe dokumentacionin sa më poshtë:

-Testin negativ të COVID-19 (RT-PCR), i cili duhet të jetë kryer deri 72 orë para mbërritjes në pikën e kalimit kufitar, nga laboratorët publike apo private të certifikuara në Shqipëri. Ky rregull nuk vlen për shoferët e kamionëve që transportojnë mallra dhe fëmijët nën 10 vjeç.

-Vërtetimin diagnozë të përkthyer në anglisht, në të cilin duhet të jenë të shënuara emri, mbiemri dhe numri i pasaportës/numri i kartës së identitetit të individit.

-Vërtetimin e plotësimit të formularit të posaçëm PLF, me kodin QR (nga adresa elektronike https://travel.gov.gr).

Bëhet me dije se testi i COVID-19 (RT-PCR) është i vlefshëm vetëm nga laboratorët e licencuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të cilat mund ti gjeni në faqen zyrtare. https://shendetesia.gov.al/mbi-njohjen-e-strukturave-jopublike-per-kryerjen-e-testit-rt-pcr/